Komuna mbajti mbledhje komemorative për Atifete Bytyqin
21/01/2016 00:00
Në organizim të kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, sot është mbajtur mbledhje komemorative për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Atifete Raci – Bytyqi, ish-shërbyese civile në administratën komunale të Klinës, e cila vdiq dje dhe u varros sot në varrezat e qytetit të Klinës.
Familjare, zyrtarë të pushtetit lokal, përfaqësues të institucioneve të ndryshme komunale dhe qendrore, si dhe qytetarë, kanë nderuar figurën dhe veprën e Bytyqit, e cila ka kenë e angazhuar si kryetare e Shoqatës për Persona të Pagjetur në Komunën e Klinës.
Ajo u nda nga jeta në moshën 53- vjeçare. Ishte anëtare e Komisionit në nivel qendror për persona të pagjetur, e cila gjatë gjithë veprimtarisë së saj u angazhua për zbardhjen e fatit të shumë personave të kësaj komune të cilët janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë luftës e për të cilët akoma nuk ka asnjë gjurmë. Kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, në komemoracionin e organizuar, ka shprehur ngushëllime për familjarët në emër të Komunës dhe ka thënë se strukturat dhe zyrtarët e Administratës komunale me pikëllim e pranuan lajmin për vdekjen e hershme të koleges së tyre, sepse Komuna ku punoi Atifetja ishte shtëpia dhe familja e dytë e saj, ku ajo dha kontributin profesional si koordinatore për të drejtat e fëmijëve, punë që e kreu me nder, ndërgjegje dhe përkushtim të madh ndaj fëmijëve të Komunës së Klinës, duke dhënë kontributin maksimal për zhvillimin e tyre qytetar dhe për promovimin e të drejtave të tyre në kuadër të zhvillimeve dhe të proceseve të shoqërisë sonë demokratike. “Atifetja me afërsinë dhe edukatën e një nëne të devotshme u bë një mësuese e dytë për nxënësit e Komunës së Klinës, sidomos me nxënësit që ishin anëtarë të Asamblesë Komunale të Fëmijëve, të cilëve iu përkushtua me afërsinë dhe dashurinë e fëmijëve të saj. Familja e Atifetes dhe vetë ajo kishte përjetuar tmerrin dhe pasojat e luftës së fundit. Kjo familje vite me radhë zgjohej me ankthin e padurueshëm të familjeve tona që kishin pjesëtarë të zhdukur gjatë luftës, konkretisht nga masakra e Kralanit, ku u zhdukën bashkëshorti i Atifetes dhe një vëlla i saj”, tha kryetari Bashota, për të shtuar se humbjet dhe dhimbjet familjare nuk e ndalën për asnjë moment aktivitetin e Atifetes për të dhënë mundin dhe kontributin e çmueshëm në Shoqatën e familjeve të të zhdukurve dhe në mekanizma të tjerë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Më lejoni, tha Bashota, që edhe një herë t’ju shpreh ngushëllimet e mia të thella: juve familje dhe familjarë të nderuar të zonjës Atifete Bytyçi dhe juve kolegë të saj që për shumë vite keni ndarë së bashku momente të rëndësishme të jetës dhe të angazhimit zyrtar në shërbim të qytetarëve dhe të proceseve tona zhvillimore si Komunë dhe shoqëri. Në emër të Këshillit për Persona të Pagjetur të Komunës së Klinës, foli Zeqir Morina, i cili tregoi për jetën dhe veprimtarinë e Atifetës. Atifete Bytyqi u lind në vitin 1963 në Siqevë, nga babai Hyseni dhe nëna Sela. Shkollimin fillore e kreu në Ujëmir, ndërsa të mesmen në Klinë, drejtimin e ekonomisë. Vazhdoi studimet në Fakultetin AAB – drejtimin e Administratës. Në vitin 2005 ka krijuar marrëdhënie të punës në Komunën e Klinës dhe ka kryer punët dhe përgjegjësitë të punës, koordinatore për të Drejtat e Fëmijëve. Po ashtu ka qenë e angazhuar edhe si kryetare e Komisionit të Personave të Pagjetur për Komunën e Klinës dhe anëtare e Komisionit qendror për persona të pagjetur. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete, sesione dhe simpoziume, ku kontributi i saj ka qenë i shumë i frytshëm dhe me interes dimensional. Foli edhe Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe Fëllenza Bajçinovci në emër të familjes.