Komuna e Klinës ka përfunduar sot dëgjimin e dytë buxhetor në kuadër të hartimit të projeksioneve për Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028, në fshatin Poterç i Epërm, me banorët e fshatrave Poterç i Epërm, Poterç i Poshtëm, Drenoc dhe Dugajevë.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Financave, Enver Berisha, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Enver Berisha, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, asambleisti nga kjo zonë, Luigj Ademi, si dhe qytetarë.
Në bashkëbisedim u theksua rëndësia e identifikimit të projekteve me ndikim të madh dhe me urgjencë të lartë për përfshirje në buxhetin trevjeçar, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës në këto zona. Banorët theksuan si domosdoshmëri ndërtimin e urës në fshatin Dugajevë, ndriçimin publik në fshatin Drenoc dhe projekte të tjera.
Gjatë takimit, u prezantuan projeksionet buxhetore përmes tabelave vizuale interaktive, të cilat ofruan një paraqitje të qartë dhe të kuptueshme për të gjithë të pranishmit. Kjo formë inovative e prezantimit synon të rrisë angazhimin qytetar dhe të ndihmojë në marrjen e vendimeve më të informuara.
Dëgjimi i tretë vazhdon sot në bashkësinë lokale të Grabanicës.
Ndërsa nga e hëna, më 9 qershor, organizohen dëgjimet e tjera sipas agjendës së bërë publike më parë.
Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një buxhet gjithëpërfshirës dhe në përputhje me nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.