Komuna e Klinës me mbështetjen e UN Women Kosovë dhe në kuadër të zbatimit të projektit “Gender Equality Facility” (GEF), i financuar nga Bashkimi Evropian, ka organizuar një trajnim të përbashkët me temën “Buxheti i përgjegjshëm gjinor si mjet për avancimin e barazisë gjinore në nivel komunal”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte forcimi i kapaciteteve të zyrtarëve komunalë dhe aktorëve të tjerë relevantë në kuptimin dhe zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si një mekanizëm kyç për përfshirjen e perspektivës gjinore në procesin e planifikimit dhe ndarjes së buxhetit komunal.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet kryesore të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe morën pjesë aktive në punën praktike për përfshirjen e perspektivës gjinore në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026-2028.
Ky aktivitet paraqet një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të barazisë gjinore në politikat dhe praktikat buxhetore të nivelit lokal, duke synuar krijimin e shërbimeve publike më të barabarta dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e Komunës së Klinës.