Aktivitete të shumta kulturore dhe sportive janë zhvilluan me rastin e shënimit të 16-të vjetorit të Çlirimit të Komunës së Klinës, të organizuara nga Drejtoria e Kulturës , Rinis dhe Sportit është shënuar Dita e Çlirimit në Klinë . Të nderuar qytetarë të Komunës së Klinës!
Në ditën e sotme 16 vite më parë, në Klinë, si kudo tjetër në Kosovë, agoi dielli i dritës dhe ngrohtësisë së lirisë së shumëpritur dhe të paguar shumë shtrenjtë.
U këputën prangat që gjatë, shumë gjatë kishin prangosur një popull duke i zënë frymën e dritën me opsionin e robërisë, dhunës, diskriminimit, përbuzjes, aparthejdit e segregacionit, derportimit, vrasjeve, masakrimeve, kidnapimeve…
Gjithnjë do të mbetet i freskët dhe i paharrueshëm përjetimi, të cilin nuk e ka fatin çdo brez ta ketë, të shijes së parë të aromës së lirisë.
Por, liria nuk arriti vetvetiu, atë e sollën triumfalisht bijat dhe bijtë më të çmuar të këtij popullli, të rreshtuar rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dhanë jetën dhe gjymtyrët e trupit të tyre.
Këtë ditë e solli edhe numri i madh i viktimave dhe i të martirizuarve, të pagjeturve dhe i të zhdukurve , që edhe më tutje për ne klinasit, por edhe për Kosovën mbesin plagë e hapur dhe që akoma kullon gjak.
Po kështu, përpos Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjakut të derdhur për këtë synim sublimues, lirinë tonë e sollën edhe ndihma madhore e bashkësisë ndërkombëtare e udhëhequr nga këmbëngulësia amerikane për ta mbrojtur këtë popull liridashës. Pra, mrekullia e NATO-as me sulmet 78-ditësh për të detyruar dorëzimin dhe tërheqjen e përgjithmonshme të okupatorit serb.
Vetëm dekada e fundit të shekullit që lamë pas ishte përplot sakrifica. Përballë dhunës barbare dhe çnjerëzore; përballë tendencave shfarosëse që vinin nga barbaria gjenocidiale serbe mbi çdo gjë që frymonte shqip. Por, nëse aspirimet e një populli gjatë historisë për lirinë e tij janë shprehje e të merituarit të saj, kur këto aspirata avancojnë në luftën të armatosur çlirimtare, atëherë liria ishte e pandalshme, pashmangshme.
Kurse, sot 16- vjet pas, me shënimin e kësaj dite të madhe jo vetëm për ne, mirëpo edhe për brezat që vijnë, ne bëjmë homazh nderi dhe respekti të përjetshëm ndaj gjithë të rënëve, por edhe atyre që mbijetuan gjakosjet e luftën e heronjve të rënë dhe të gjallë, dëshmorëve, invalidëve e veteranëve, martirëve dhe të kidnapuarve të pagjetur dhe të zhdukur.
18 – Qershori i vitit 1999 ka hapur faqe të re të historisë, ka hapur faqen e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e lirisë, për forcimin e saj, për rindërtimin e vendit.
Kjo ditë ka hapur shtigje të reja të jetës sonë, të arritjeve të vlerave të demokracisë dhe begatisë, të vlerave të civilizimit perëndimor. Dhe këto shtigje duhet ndjekur me obligim, sepse është çmimi i lartë i tyre që e bën të domosdoshëm përvijimin.
Kjo ditë është një ndër më kulmoret në historinë e Kosovës. Pas gjithë atyre vuajtjeve dhe sakrificave, 16 vite më parë neve pas shumë e shumë përpjekjeve na u kthye buzëqeshja, bashkë me mëngjesin kombëtar, për ta filluar një etapë të e re të renesancës shqiptare, epoka e kthimit të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
16-vjet të pasluftës janë të pakta për të përmbushur zbrazëtirat e krijuara nga pasojat e saj, por edhe të periudhës së gjatë para saj.
Përballë kësaj periudhe dhe përballë nevojave tona të mëdha kemi bërë aq sa kemi mundur, por nëse krahasimet bëhen të drejtpërdrejta dhe të rezonojmë ku ishim dhe ku jemi, rezultatet janë inkurajuese.
Kemi rrugë të asfaltuara, trotuaret me gjelbërim, infrastrukturë tjetër të objekteve shkollore e shëndetësore, ujësjellës e kanalizime që janë bërë, vetëm disa nga treguesit e suksesit tonë, sukses dhe interes i gjithë qytetarëve të Komunës së Klinës.
Shpresojmë që në të ardhmen do të bëjmë edhe më shumë dhe Klinës sonë të bukur do t’ia japim një imazh të një qyteti modern dhe evropian.
Në fund, me urimin më të sinqertë për ngarendje drejt së ardhmes së bukur, me urimin më të sinqertë për arritje të reja, ju përgëzoj dhe ju uroj përvjetorin e jetës në liri.
Të rënët për Ditën e Çlirimit të Republikës së Kosovës dhe të Klinë, paçin paqe nën Dheun e Lirisë së Kosovës!
Gëzuar 18-Qershori – Dita e Çlirimit të qytetit tonë të dashur!
Kryetar i komunës së Klinës- Sokol Bashota
Klinë,
18 .06.2015