Me intonimin e himnit kombëtar, në Klinë kanë nisur sot aktivitetet për shënimin e 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit dhe njëherësh Ditës së Dëshmorëve të komunës.
Në nderim të sakrificës së atyre që ranë për liri, Kuvendi Komunal ka mbajtur një seancë solemne, e cila u hap nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Fadil Gashi.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, mixha Halil Krasniqi – babai i heroit Mujë Krasniqi, përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe familjarë e të afërm të dëshmorëve.
Në fjalën e tij, kryesuesi Gashi uroi të pranishmit për këtë ditë të lavdishme, duke theksuar mirënjohjen dhe respektin e përhershëm për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.
“Sot kujtojmë dhe festojmë një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë – 18 Qershorin, Ditën e Çlirimit të Klinës”, u shpreh, ndër të tjera, Gashi, duke nënvizuar vlerën e madhe që ka kjo datë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Klinës.
Edhe kryetari Zenun Elezaj iu drejtua të pranishmëve dhe, në fjalën e tij, u shpreh:
“18 Qershori është datë e shenjtë për Klinën, ditë që na kujton sakrificën sublime të bijve më të mirë të këtij vendi dhe na obligon të punojmë me përkushtim për një të ardhme më të mirë, në nderim të gjakut të derdhur për liri.
Urime Dita e Çlirimit! Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve për liri!” – ka thënë Elezaj.
Në emër të tri organizatave të dala nga lufta, në një fjalë nderimi foli edhe Bahtije Haliti, njëherësh motra e dëshmorit Arben Haliti, e cila theksoi se shpreh respektin më të madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne sot e gëzojmë.
“Çlirimi i Klinës nuk do të ishte i mundur pa guximin dhe heroizmin e djemve dhe vajzave të UÇK-së, pa përkushtimin dhe qëndresën e popullit tonë liridashës. Sot ndjej dhimbje dhe krenari njëkohësisht – dhimbje për mungesën e të dashurve tanë dhe krenari për rrugën që ata zgjodhën, rrugën e lirisë. Ata nuk janë më fizikisht me ne, por janë pjesë e pandashme e kujtesës dhe identitetit tonë kombëtar.”
Pas seancës, aktivitetet vazhduan me homazhe dhe vendosjen e kurorave me lule, sipas agjendës së planifikuar.