Edhe Klina gjatë ditës së djeshme është përballur me vërshimet e shkaktuara nga të reshurat e mëdha. Zona më e prekur ka qenë ajo lindore e Komunës që përfshin zonën kadastrale të Valljakut,për shkak të daljes nga shtrati të lumit “Mirusha”. Nga këto vërshime dëme të mëdha materiale kanë pësuar dy biznese të njohura hoteliere dhe shërbyese: “Vilapark Ujëvara” si dhe hoteli “Ujëvara e Mirushes”. Ndërkohë, lumenjtë e tjerë që gravitojnë nëpër territorin e Komunës së Klinës si Drini i Bardhë, lumi “Klina” dhe Bistrica nuk kanë pasur ngritje të theksuar të nivelit të ujit.

Kryetari i Komunës, z. Sokol Bashota, falënderon Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila mbrëmë përmes telefonit u interesua për gjendjen në Komunën e Klinës si dhe të gjitha ekipet që dje gjatë gjithë ditës dhe natës janë përkujdesur që intervenimet gjatë reshjeve të jenë në momentin e duhur.
Sot, Drejtoria e shërbimeve publike dhe e emergjencave ka njoftuar se pas vërshimeve të mbrëmshme situata në gjithë territorin e Klinës është e qetë dhe niveli i ujërave të lumenjve është në rënie e sipër.Sidoqoftë organet kompetente komunale janë në gatishmëri, me pajisje teknike dhe resurse të nevojshme njerëzore, për të përballuar çdo situatë të mundshme emergjente.