{^Image|(behavior)hover|(url)~/getattachment/News/Klina-me-uje-te-pijshem/fAB4.jpg.aspx?width=300&height=200|(width)300|(height)200|(hspace)2|(vspace)2|(align)left|(mouseoverwidth)400|(mouseoverheight)266^}Është përurua një ndër projektet më të rëndësishme kapitale në Komunën e Klinës, fabrika për përpunimin e ujit të pijshëm, projekt ky i cili ka kushtuar dy milionë euro. Këto mjete për këtë fabrikë janë ndarë nga buxheti i Komunës së Klinës, një pjesë e tyre edhe nga Qeveria e Kosovës në legjislacionin e kaluar.
Fabrika e ujit do të sigurojë ujë të pijshëm për banorët e qytetit dhe fshatrave përreth. Pas kaq vitesh pas përfundimit të luftës, qytetarëve të Klinës sot po u zgjidhet një problem jetik, ai i ujit të pijshëm. Pajisjet e kësaj fabrike të ujit janë të teknologjisë moderne të sistemit evropian. Pas analizave të bëra nga Instituti i Shëndetësisë Publike, ka rezultuar se uji i kësaj fabrike është i cilësisë së lartë dhe mund të përdoret për pije nga qytetarët që deri tash kanë udhëtuar edhe në komuna të tjera për të siguruar ujë të pijshëm në forma të ndryshme.
Kryetari i komunës së Klinës, z. Sokol Bashota gjatë ceremonisë tha se : “Sot jemi të emocionuar ngaqë, pas shumë sfidave dhe angazhimeve të mëdha, arritëm të vëmë në funksion një projekt që do të jetë në shërbim të qytetarëve, të cilët në mënyra të ndryshme siguronin ujin pa ditur cilësinë e tij. Nuk ka qenë aspak lehtë të realizohet ky projekt, por kemi qenë të angazhuar jashtëzakonisht shumë dhe ia arritëm qëllimit. Dua t’i falënderoj qytetarët e Komunës së Klinës për durimin e treguar deri më tash por, tashme ujë të pijshëm do të kenë të mjaftueshëm, shpresoj se do të përdoret sa më mirë dhe në mënyrë racionale. Nga sot e tutje qytetarët më nuk kanë arsye të mos e paguajnë ujin e shpenzuar. Projekti është realizuar nga taksat komunale, të hyrat vetjake dhe me këtë rast dua ta falënderoj edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për mbështetjen financiare në këtë projekt kapital, ndër më të mëdhenjtë dhe të rëndësishme pas luftës. Urime të gjithë qytetarëve!”