Fjalë rasti e Kryetarit të Komunës së Klinës Sokol Bashota në Manifestimin kulturor me rastin e ditëlindjes së 68-të të ish-presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, drejtuar qytetarëve të Komunës së Klinës dhe Presidentit Clinton
Me një ceremoni festive komuna e Klinës ka festuar 68-të vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton. Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, z. Sokol Bashota, si dhe organizuar nga Drejtoria për Kulturë ,Rini e Sport së bashku me Shoqatën “ Miqtë e Amerikës” , dhe gjithë qytetarët e komunës së Klinës, që i janë bashkuar këtij manifestimi kanë treguar që populli i Kosovës, pikërisht qytetaret e komunës së Klinës , çdo here do të jenë mirënjohës për veprën e ish-Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton. Me urimet më të përzemërta ata kanë uruar ish-Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton.Ceremonia filloi me Seancën solemne të Asamblesë Komunale dhe vazhdoi me ekspozitën e piktorit Idriz Berisha .Që kjo ditë të behet edhe më madhështor , Asambleja Komunale ka marr vendimi që pikërisht në këtë ditë të bëhet përurimi i rrugës me ermin e ish-Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton.

Manifestim ka vazhduar me koncertin i cili ka zgjatur deri në orët e vona .
Në vazhdim :
Fjalë rasti e Kryetarit të Komunës së Klinës Sokol Bashota në Manifestimin kulturor me rastin e ditëlindjes së 68-të të ish-presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, drejtuar qytetarëve të Komunës së Klinës dhe Presidentit Clinton
Të nderuar qytetarë të Komunës së Klinës, kam nderin dhe privilegjin e veçantë që ta marrë fjalën këtu para jush, në kuadër të Manifestimit kulturor që organizon Komuna e Klinës në bashkëpunim me organizatën “Miqtë e Amerikës”, për nder të ditëlindjes së 68-të të ish-presidentit të SHBA-ve Bill Clinton. Ky manifestim kulturor organizohet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës Sokol Bashota, prandaj më lejoni që në emër të Kryetarit të Komunës së Klinës dhe në emrin tim personal t’ ju përshëndes dhe t’ ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë takim dhe në aktivitetet e tjera që kemi organizuar për ditëlindjen e madhe të njeriut dhe personalitetit të madh të Amerikës dhe të mbarë njerëzimit, të mikut të madh të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, siç është Presidenti Bill Clinton.
I nderuari President Bill Clinton, më lejoni që në emër të Kryetarit të Komunës dhe në emrin tim personal, në emër të institucioneve të Komunës së Klinës dhe në emër të të gjithë qytetarëve të saj, t’ ju uroj ditëlindjen e 68-të, me dëshirën e sinqertë që të keni shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, gëzime në familjen Tuaj, suksese në angazhimin Tuaj të rrallë në shërbim të Njeriut, të Lirisë dhe të Demokracisë jo vetëm në Amerikë, por kudo në globin tokësor.
Kam nderin që me fjalët e urimit për ditëlindjen Tuaj të bashkoj edhe falënderimin tim për veprën Tuaj kapitale dhe historike në shërbim të Luftës për Lirinë e Kosovës, sepse Ju jeni Ai që pati përkushtimin, mundimin dhe sakrificën për të ndikuar në diplomacinë evropiane dhe botërore dhe në mekanizmat e Paktit më të Fuqishëm Ushtarak në Botë-NATO-s, që ajo të marrë vendimin historik që më 24 mars 1999 të fillonte sulmet ajrore mbi caqet ushtarako-policore të Serbisë, duke ndihmuar luftën e drejtë që bëri populli i Kosovës në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke ndihmuar që të përfundonte pushtimi dhe robëria e egër e Serbisë mbi popullin e Kosovës, duke ndihmuar që të lindin procese të reja për Kosovën dhe qytetarët e saj, siç janë Procesi i Lirisë dhe i Demokracisë, Procesi i Pavarësisë, i Shtetit dhe i Integrimit të Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe në Demokracitë e Avancuara të Botës së Zhvilluar.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij Manifestimi kulturor, populli ynë si rrallë ndonjë popull tjetër në botë, ka kaluar nëpër ngushtica të ashpra të ekzistencës fizike dhe historike, për shkak të pozitës së tij gjeo-strategjike, si pikë e ndjeshme e takimit të interesave të fuqive të mëdha ushtarake dhe politike, po ashtu si vend i vogël ku frynin erërat e kulturave të ndryshme që vinin nga Lindja dhe nga Perëndimi. Megjithatë, vitaliteti i popullit tonë, lufta e tij e përhershme për Liri dhe Drejtësi bëri që të shpëtonte dhe të realizohej identiteti ynë kombëtar e njerëzor.
Populli ynë është mësuar nga historia dhe nga tradita që të nderojë dhe të respektojë të gjithë aleatët dhe miqtë fisnikë që iu gjetën në ndihmë kur ishte në luftë dhe në rreziqe të tjera. Një nga ata miq fisnikë që e përkrahën Kosovën dhe shqiptarët në ditët më të vështira, në zezonat e historisë, në luftë dhe në paqe, pra një nga ata miq fisnikë dhe seriozë është Amerika, populli dhe shteti i saj, personalitetet e të cilit kanë ndërhyrë në momente të vështira dhe kritike për të ndryshuar rrjedhën e proceseve të historisë në përkrahje dhe në ndihmë të realizimit të Lirisë dhe të Drejtësisë për popullin tonë.
Ky raport i shtetit të Amerikës ndaj popullit tonë është i hershëm dhe daton që nga fillimet e shekullit 20 dhe u finalizua në fund të këtij shekulli, me aleancën e fuqishme të Amerikës në përkrahje të luftës që bënte populli i Kosovës nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’ i dhënë fund robërisë nga Serbia dhe për të filluar proceset e reja në shërbim të avancimit të Lirisë, të Drejtësisë , të Paqes dhe Stabilitetit në rajon.
Të nderuar pjesëmarrës, në këtë përvjetor të rëndësishëm të ditëlindjes së Presidentit Clinton, përfaqësuesit e zgjedhur nga populli në Asamblenë Komunale të Klinës, në mënyrë unanime kanë marrë vendimin për emërtimin e një rruge të qytetit me emrin e madh të Presidentit Bill Clinton. Është kjo një formë e falënderimit të madh të qytetarëve të Klinës ndaj Presidentit Clinton.
Në këtë rrugë të re me këtë emër të madh do të lëvizin përditë fëmijë e qytetarë të moshave të ndryshme, por më së shumti do të lëvizin mijëra nxënës e mësimdhënës të institucioneve edukative që funksionojnë në atë rrugë. Kjo rrugë me emrin e Clintonit, kjo rrugë e shkollës vetvetiu bëhet e një simbolike të veçantë, sepse institucioni i shkollës edukon njerëzit për të sfiduar vështirësitë e sotme dhe të nesërme të kohës moderne, ashtu siç ka sfiduar Presidenti Clinton të gjitha vështirësitë nëpër epokat dhe proceset e mëdha botërore, me të vetmin qëllim që Bota të ketë më shumë Liri, më shumë Zhvillim, më shumë Paqe dhe më shumë Drejtësi Njerëzore.
Të nderuar qytetarë të Klinës, e gëzofshi emërtimin e rrugës së re, e nderofshi emrin e madh të Bill Clintonit.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij Manifestimi kulturor, më lejoni që në emër të Kryetarit të Komunës t’ ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrje në këtë eveniment të rëndësishëm për qytetarët tanë, sepse sot Komuna e Klinës me nderimin dhe dëshirën më të madhe i bashkohet festës së rëndësishme të kremtimit të ditëlindjes së 68-të të Presidentit Bill Clinton.
Kjo ditë është e rëndësishme për familjen e Bill Clintonit, për Amerikën, për Republikën e Kosovës, për Komunën e Klinës dhe për mbarë botën demokratike, sepse personaliteti i Presidentit Bill Clinton ka ndikuar fuqishëm që njerëzit në mbarë botën të kenë më shumë prosperitet dhe të festojnë më shumë ditëlindje për veten, familjen dhe fëmijët e tyre.
Presidentit Bill Clinton i urojmë ditëlindjen e 68-të, me urimin dhe dëshirën e sinqertë që të ketë shëndet dhe gëzime në familje, jetë të gjatë dhe suksese në aktivitetet e tij në shërbim të Amerikës dhe të Njerëzimit.
Faleminderit.
Kryetari i Komunës së Klinës
Sokol BASHOTA
Klinë, më 19 gusht 2014