Rruga është e gjatë 3.5 kilometra dhe në të parashihet edhe ndërtimi i një ure.
Komuna e Klinës dhe komuna e Malishevës do të realizojnë bashkërisht një projekt infrastrukture. Kryetari i Klinës, Sokol Bashota, dhe kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin e përbashkët të projektit të asfaltimit të rrugës Bubël (Malishevë)-Sverkë (Klinë), i cili do të kushtojë gjithsej 220 mijë euro.
Klina do të participojë në këtë projekt 2- vjeçar me 140 mijë euro, kurse ajo e Malishevës me 80 mijë sosh. Kompetente për udhëheqjen e procedurave të prokurimit për këtë tender është përcaktuar Zyra e Prokurimit e Klinës. Kryetari i komunës së Klinës Sokol Bashota, e ka falënderuar kryetarin e Malishevës Isni Kilaj ,për mbështetjen e këtij projekti. Ai ka thënë se ky projekt i pari i përbashkët për lidhjen e 2 komunave është i një frekuentimi të madh të qytetarëve që ka miqësi, por edhe për bujqësinë në të dyja pjesët e komunave.
Kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ka tërhequr vërejtjen se ka pasur kërkesa të mëdha të banorëve të të dyja komunave për asfaltimin e kësaj rruge, por kjo, sipas tij, nuk është bërë deri tashti në mungesë buxheti.