Në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi zhvilloi takimin e gjashtë dhe të fundit për vitin 2024. Në këtë mbledhje morën pjesë nënkryetarja e Komunës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtori i Arsimit, z. Qemajl Sejdija, përfaqësuesi i Policisë së Klinës, z. Skender Morina, si dhe anëtarë të tjerë të këshillit.
Takimin e hapi nënkryetarja Selmanaj, e cila prezantoi rendin e ditës me fokus në çështje të rëndësishme për komunitetin. Diskutimet u përqendruan në këto pika kryesore:
1.Vetëdijesimi për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike – U theksua nevoja për të informuar qytetarët, veçanërisht të rinjtë, për rreziqet që paraqesin mjetet piroteknike, sidomos gjatë festave të fundvitit.
2.Identifikimi i vendeve ku dyshohet se përdoren substanca narkotike – Këshilli diskutoi hapat që duhen ndërmarrë për të identifikuar dhe adresuar këtë problem shqetësues në komunitet.
3.Masat për parandalimin e lëmoshë kërkuesve – U shqyrtuan strategjitë për të reduktuar këtë dukuri, duke përfshirë përfshirjen sociale dhe ndihmën për personat në nevojë.
4.Të ndryshme – Në këtë pikë u diskutuan çështje të tjera me rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në përfundim të takimit, u përcaktuan masat konkrete që do të ndërmerren për adresimin e këtyre çështjeve dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e sigurisë në komunë.
Këshilli shprehu angazhimin për vazhdimin e aktiviteteve të tij edhe në vitin 2025, duke i kushtuar vëmendje prioriteteve të komunitetit dhe sfidave që e preokupojnë atë.