Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Klinës, aktivitetet e manifestimit të shënimit të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës kanë vazhduar me intonimin e Himnit shtetëror dhe ngritjes së Flamurit si dhe defileun e nxënësve dhe paraqitja e grupit me Këngën e Pavarësisë.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me mixhën Halil Krasniqi, babanë e komandantit legjendar, Mujë Krasniqi, kryesuesin e Kuvendit të Komunës, z. Fadil Gashi, komandantin e Stacionit të Policisë në Klinë, toger Ragip Bytyqi, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës, familjarë e qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë shtatores së Komandant “Kapuçit”- Mujë Krasniqit, nderime te përmendorja përkujtimore e të pagjeturve të luftës në Klinë, nderime te busti i Ismet Rracit, nderime te busti i Arben Halitit si dhe te kompleksi « Kodra e Kuqe ».
“16 vjet më parë u përcaktua në mënyrë përfundimtare fati dhe perspektiva e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik, i lirë, sovran, dhe i orientuar në mënyrë të palëkundur drejt rrugëtimit të tij të qartë euro-atlantik.
17 shkurti 2008 do të mbetet si datë e skalitur përgjithmonë në memorien e këtij brezi që pati fatin ta përjetojë këtë kohë, por edhe gjithë atyre brezave që do të vijnë pas nesh, si një pikë kulmore dhe referencë e këtij rrugëtimi të këtij populli deri me ditën e sotme.
Liria e Pavarësia e Republikës së Kosovës u fitua me sakrifica të gjata e shumë gjak të derdhur nga shumë atdhetarë, patriotë, intelektualë, luftëtarë e heronj, prandaj, në këtë solemnitet shprehim nderin dhe respektin tonë të madh për themeluesit e luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa nga të cilët edhe sot padrejtësisht po përballen me akuza të padrejta për të cilat besojmë plotësisht dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dalin të pafajshëm. Ata kanë dalë fitimtarë ndaj armikut në frontet e luftës, fitimtarë do të dalin përsëri.
Respekt dhe mirënjohje për komandantin historik të UÇK-së, Adem Jasharin, për heroin e kombit, birin e këtij vendi, komandantin Mujë Krasniqi – Kapuçin, si dhe për të gjithë ata heronj, dëshmorë dhe martirë të kombit, që simbolizojnë këtë ditë të madhe”, – është shprehur kryetari Elezaj gjatë këtyre homazheve.




