Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj me bashkëpunëtorë priti në takim kryeshefin e Axhencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmetin dhe këshilltarin e Ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Valon Maliqi më rastin e fillimit të projektit për vendosjen e tabelave me emërtimin e rrugëve.
Emërtimi i rrugëve në Klinë filloi në sheshin “Ndue Përlleshi”, për të vazhduar më pas në gjithë territorin e Klinës. Ky projekt financohet nga Qeveria Norvegjeze.
Kryetari Elezaj së bashku më Drejtoreshën e Gjeodezisë dhe Kadastrit, Njomza Grabanica, falënderuan donatorët për financimin e këtij projekti sepse përmes tij krijohen lehtësira në regjistrin civil, shërbimet publike, në transport, navigacion, në polici si dhe plotësimin e një ndër kritereve ne procesin e integrimit evropian.
Në Komunën e Klinës parashihet vendosja e rreth 806 shenjave në zonat e digjitalizuar urbane dhe rurale.
