Për të 8-tën herë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, u mbajt manifestimi tradicional letrar dhe kulturor “Ora e Tahir Deskut”, që organizohet në ditëlindjen e poeti dhe reporterit të luftës, Tahir Deskut.
Në këtë manifestim letrar e kulturor ,morën pjesë poetë të shumtë nga Prishtina, Klina, Peja, Gjakova, Prizreni, Presheva, Medvegja, Istogu, diaspora, zyrtar dhe asamblistë të komunës , si dhe familjar të Tahir Deskut.
Shkrimtari laureat i çmimit, Sejdi Berisha, me këtë rast shprehi mirënjohje për kryetarin e Komunës, z. Sokol Bashota për angazhimet dhe përkrahjen e tij që po i jep letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Në pjesën e dytë të këtij manifestimi, u mbajt ora letrare, ku poezitë e tyre i lexuan shumë shkrimtarë nga Kosova dhe jashtë. Me këtë rast, juria në përbërje, Rexhep Abazi, kryetar, Idriz Berisha dhe Sherif Bllaca, anëtarë, ndan tri shpërblimet e kësaj ore. Vendi i parë i takoi Migena Arllatit, për poezinë, “Motiv monologu”; vendi i dytë, Rrahman Hisenit, “Mos më kërko!” dhe vendi i tretë Hisen Berishës për poezinë Sa shpejt ikën stinët. Ndërkaq për stimulim të krijuesve të rinj, kësaj radhe juria ndau për autoren e re, Monika Palushaj.