Si pasojë e motit të ligë i përcjellur me erëra të fuqishme gjatë natës së mbrëmshme , shumë fshatra të komunës së Klinës, kanë mbetur pa energji elektrike, ku ende po vazhdojnë të mos kenë energji elektrike nga mbrëmë e deri sot pasdite. Era ka rrezuar disa shtylla elektrike, ndërsa KEDS-së, as që ka njoftuar autoritetet e komunës për demet e shkaktuara apo që është duke u punuar në sanimin e tyre. Gjokë Lleshaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, në komunën e Klinës, pohon se shumë lokalitete duke përfshirë edhe lagjet e qytetit nuk kanë energji elektrike dhe vonesat e KEDS-it, në riparimin e defekteve janë të pa justifikueshme. Era e madhe ka shkaktuar edhe disa dëme materiale, kryesisht në pullaze të shtëpive, në Zllakuqan, Volljakë dhe Klinë. Një shtëpie në fshatin Volljakë i është hequr kulmi i llamarinës ndërsa në shumë shtëpi të tjera, era ka hequr tjegullat e kulmit. Është formuar një komision komunal i cili ka dalë në terren për të identifikuar demet e shkaktuara dhe shumë shpejt do të dalim me raportin final.