Në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së të rënë për liri, Komuna e Klinës ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh në kompleksin “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, për të kujtuar luftën tonë të lavdishme dhe figurën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Ky aktivitet shënoi manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, ku morën pjesë kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi –Selmanaj, komandanti i Policisë, Ragip Bytyqi, drejtorë të drejtorive, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.
Kryetari Elezaj tha se ky manifestim na rikujton ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998, që do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën dhe për vetë historinë e Kosovës.
“Me përulësi dhe krenari kujtojme një nga momentet më të lavdishme dhe më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare. Sot, bëhen 27 vjet nga rënia heroike e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe e gjithë familjes së tij, të cilët me vetëmohim e flijim vulosën rrugën e lirisë. Çdo përvjetor i tij nuk është thjesht një ditë kujtimi, por një moment reflektimi dhe frymëzimi për të gjithë ne.
Ne sot përkulemi me respekt dhe admirim për të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që me gjakun dhe përkushtimin e saj bënë të mundur që ne të jetojmë të lirë e me dinjitet.
Lavdi të përjetshme Komandantit Legjendar, Adem Jashari!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!” – tha kryetari Elezaj.
Gjithashtu, dje, në të gjitha shkollat e komunës së Klinës, ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për liri.