Në Galerinë e Qendrës së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”,në Klinë, u hap edicioni i dhjetë jubilar i Ekspozitës së Përbashkët, organizuar nga komuna e Klinës – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Morën pjesë 31 krijues në konkurim, ku u ndanë tre çmime kryesore nga DKRS, si edhe mirënjohje për secilin pjesëmarrës.
Në prani të një publiku të gjerë, edicionin e hapi zyrtari i kulturës, regjisori Alban Gashi. Ndësa, kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, e çmoi lartë këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë që “ART KLINA”, ka për jetën kulturore në komunën e Klinës. Po ashtu, edhe drejtori i DKRS-së, Driton Bardheci, dha mbështetjen institucionale për këtë edicioni jubilar .Një përmbledhje për historikun, përmbajtjen dhe synimin e këtij edicioni e dhanë: piktori Idriz Berisha – Xhixhi, Profesori Pal Canaj si dhe aktori Ismet Krasniqi – Lala.
Juria profesionale, e përbërë nga Refki Gollopeni – Rego, Albulen Neziri dhe Avni Rexhepaj, vlerësoi dhe ndau tre çmime:
Vend i tretë (pikturë): Donjeta – Therandë
Vend i dytë (pikturë): Skenda Idrizi – Mitrovicë
Vend i parë – Çmimi “ART KLINA”, 2025 (skulpturë): Bedri Haziraj
“ART KLINA”, po vazhdon të dëshmojë se është një ngjarje e rëndësishme artistike, ku çdo vit shfaqen vlera të reja përmes pikturës, skulpturës, vizatimit, grafikës dhe shumë teknikave të tjera. Çdo edicion sjell një ngritje të dukshme në cilësi dhe përmbajtje, duke e bërë Klinën një adresë të qëndrueshme për artistët që, me rastin e 28 Nëntorit, nderojnë festën përmes artit.
Edhe këtë vit u botua katalogu përmbajtësor i ekspozitës, i cili shërben si urë lidhëse mes krijuesve, veprave dhe publikut. Dizajni dhe kopertina janë realizuar nga zyrtari i kulturës, Taulant Berisha.