Fjala e Kryetarit të Komunës së Klinës , z. Sokol Bashota gjatë seancës së Asamblesë Komunale me rastin e festës së Pavarësisë .
Sot, kur shënojmë shtatë vjetorin e Pavarësisë së Republikës, ndihemi shumë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm ndaj historisë, ndaj asaj sakrifice mbinjerëzore të gjeneratave, ndaj gjithë atij gjaku dhe gjithë asaj lufte nëpër shekuj deri te lufta e lavdishme e UÇK-së, luftë kjo që i ndryshoi rrjedhat e historisë dhe qasje ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Historia dhe liria e shtetit tonë na obligojnë ta vlerësojmë dhe të ngremë lart veprën sublime të dëshmorëve e të heronjve tanë; të kemi respekt për plagët e luftëtarëve tanë, për të pagjeturit dhe për të gjithë ata që vunë kontributin e tyre në themelin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
17 shkurti i vitit 2008 përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e Kosovës si shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe i orientuar në mënyrë të palëkundur drejt rrugëtimit të tij të qartë euroatlantik. Kjo datë do të mbetet e gdhendur jo vetëm në historinë e Kosovës, por të mbarë kombit shqiptar si një pikë kulmore reference për brezat e ardhshëm të shqiptarëve.
Shpresoj se jo vetëm ky, por edhe përvjetorët e tjerë të shënimit të pavarësisë së vendit do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme si në realizimin e projekteve, ashtu edhe në forcimin e demokracisë në të gjithë vendin. Duhet përsëritur se e gjithë kjo që po bëhet është rezultat i një vepre madhore, siç është pavarësia e Republikës së Kosovës.
Me respekt të veçantë i falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë për veprën dhe punën e tyre për pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj.
E përgjithmonshme qoftë Republika e Kosovës!
Lavdi të gjithë atyre që jetën e dhanë për këtë ditë të shënuar!
Kryetari i Komunës,
Sokol Bashota,
Klinë, 17.02.2015