Nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, e shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, babai i heroit Mujë Krasniqi, Bacë Lili, komandanti i Policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, veteranë të luftës dhe qytetarë, pranë objektit të komunës, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe intonimit të himnit, të cilat pasqyrojnë krenarinë dhe mirënjohjen.
Ceremonia filloi pranë ndërtesës së Komunës, ku u ngrit flamuri kombëtar dhe u intonua himni shqiptar. Më pas, u vendosën kurora lulesh pranë shtatores së heroit Mujë Krasniqi – Komandant “Kapuçi”, simbol i qëndresës dhe sakrificës, si dhe pranë bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Homazhet u përmbyllën në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, ku pjesëmarrësit përkujtuan dëshmorët e kombit dhe veprat e tyre të pavdekshme.
Në fjalimin e saj, znj. Selmanaj theksoi rëndësinë e bashkimit dhe përkujtimit të të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe pavarësi: “28 Nëntori është një datë që na bashkon në krenarinë tonë kombëtare dhe na kujton se çdo hap drejt lirisë dhe pavarësisë është ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificat e paraardhësve tanë. Uroj që në këtë ditë të veçantë, ta festojmë së bashku dhe ta ruajmë gjithmonë frymën e unitetit dhe dashurisë për atdheun.”
Dita e Flamurit në Klinë u përmbyll me mesazhe të fuqishme të unitetit dhe frymëzimit për të vijuar punën për të ardhmen, duke u bazuar në themelet e forta të sakrificave heroike të kombit shqiptar.




