Komuna e Klinës ka mbajtur takimin e gjashtë buxhetor për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, në fshatin Jashanicë, me banorët e fshatrave Jashanicë, Pogragjë, Dush i Vogël, Resnik, Jelloc dhe Gjurgjevik i Madh, në ambientin e shkollës së mesme të ulët “Tre Dëshmorët”, ora 19:00.
Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha, drejtori i Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, udhëheqësi i departamentit të Financave, Burim Hoti, anëtarë të grupit punues si dhe banorë të zonave të lartcekura.
Kryetari Elezaj njoftoi së pari të pranishmit për projektet që të realizohen në këto lokalitete e që janë në vlerë 240 mijë euro, ku do të përfshihen projekte infrastrukturore, siç janë: trotuare, asfaltim i rrugëve dhe kanalizim në Jashanicë, Jelloc, Resnik dhe Pogragjë. Tashmë vetëm është nënshkruar kontrata, si dhe është në fazën e vlerësimit projekti për shtigje të ecjes.
“Së bashku, ne si qeveri po dëgjojmë me kujdes dhe ndërgjegjësim të plotë mendimet dhe nevojat e qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit tonë, duke u përpjekur për të siguruar që secili shpenzim të reflektojë mirë qëllimet dhe prioritetet e juaja” – ka thënë Elezaj.
Ndërsa dhe udhëheqësi i departamentit të Financave, Burim Hoti ka bërë një prezantim të shkurtër duke prezantuar pikat e rëndësishme të draft-kornizës, në veçanti u ndal tek projektet kapitale ndër vite.
Në fund, takimi u mbyll pasi qytetarët dhanë mendimet e tyre.




