Komuna e Klinës ka mbajtur edhe takimin e dytë buxhetor për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, në fshatin Grabanicë, me banorët e fshatrave Grabanicë, Dollovë, Bokshiq, Këpuz dhe Qeskovë, i cili është mbajtur në ambientin e ri të sapo ndërtuar të shkollës së mesme të ulët “Azem Bejta”, në orën 18:00.
Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha, drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdija, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, udhëheqësi i departamentit të Financave, Burim Hoti, anëtarë të grupit punues si dhe banorë të zonave të lartcekura.
Në takim është diskutuar mbi nevojat dhe prioritetet e banorëve dhe inkuadrimin e tyre në prioritetet e viteve 2025-2027.
Kryetari falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë në përpilimin e ideve dhe ndarjeve buxhetore për vitet e ardhshme dhe gjithashtu foli mbi investimet që po realizohen në këto fshatra, ndërtimin e shkollës së re “Azem Bejta’, trotuarin, ndriçimin në rrugën kryesore etj.
“Ne jemi të përkushtuar për të dëgjuar dhe për të marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve në dëgjimet buxhetore, për të siguruar një buxhet të përshtatshëm dhe të reflektojë nevojat dhe prioritetet e komunitetit tonë.” – ka thënë Elezaj.
Ndërsa dhe udhëheqësi i departamentit të Financave, Burim Hoti ka bërë në prezantim të shkurtër të draft-dokumentit të kornizës afatmesme lidhur me përmbajtjen, të hyrat, shpenzimet, projektet kapitale, zhvillimi ekonomik për të gjithë qytetarët (gra, burra, vajza dhe djem), si dhe ju është përgjigjur qytetarëve në pyetjet që ata parashtruan.



