Përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës, takuan zyrtarë të pushtetit lokal, përfaqësues të bizneseve dhe klubeve sportive të Klinës. Sponsoruesve për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja në vlerë prej tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas ketij ligji.
Përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, president, Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm dhe Ramadan Selimi, anëtar i Bordit të KOK-ut, kanë zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetarin Besim Hoti, si dhe drejtorët, Skënder Merturin e Lorenc Marlekun, me të cilin është biseduar për Ligjin për Sponsorizim.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se po mundohemi që me subvencione të mbajmë gjallë klubet e Komunës së Klinës, por kjo është një ndihmë e vogël krahasuar me nevojat që kanë ekipet, prandaj për të tejkaluar këtë situatë kërkojmë mbështetje nga bizneset.
Pasdite, përfaqësuesit e KOK-ut dhe kryetari Elezaj, kanë takuar përfaqësuesit e biznesit dhe klubeve të Klinës. Hasani dhe Haxhijaj, kanë sqaruar se tashmë me Ligjin për Sponsorizim të Sportit, bizneset kanë mundësi që 30 % të obligimeve të tyre ndaj shtetit t’i dedikojnë për klubet sportive.
Sponsoruesve për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja në vlerë prej tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas ketij ligji.
Në rastin konkret, nëse një biznes i ka obligim shtetit 10 mijë euro, mund t’i ndajë 3000 euro për klubet sportive. Bizneset janë zotuar se do të angazhohen në ndihmën e klubeve sportive të Klinës. Storja më e mirë në Kosovë është sporti. Të gjithë duhet të angazhohemi për zhvillimin e sportit”, ishte konstatim i përgjithshëm nga ky takim.
