Në përkujdesje të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë, është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar tre Dëshmorëve të Kombit, Idriz, Sylë dhe Milzaim Balaj.
Akademia është mbajtur në Qendrën Kulturës, “JEHONA E DUKAGJINIT”, ku me një fjalë rasti, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr.Zenun Elezaj tha se: Gjendem sot këtu, në këtë Akademi përkujtimore me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit për këto tri figura të shquara të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Idriz, Sylë dhe Milazim Balajt, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që dhanë familja Balaj për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë përkujtimi të Idrizit, Sylës dhe Milazimit, se qëllimi i tyre i lartë, ishte t’i shihnin njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm, sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
Angazhimi për lirinë e atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit atdhetar e kombëtar dhe që i frymëzoi ata deri në çastin e fundit të jetës së tyre.

Që të tre këta pishtarë të lirisë së Kosovës, në jetë ishin me ideale të njëjta, por edhe në botën e amshuar pushojnë bashkë.
Nga këtu, theksoj se prindërit, familjarët, po edhe gjithë vendi dhe shqiptarët do të jenë prore krenarë për veprën e Idrizit, Sylës dhe Milazimit,
Lavdi përjetë Idriz, Sylë dhe Milazim Balajt!
Përjetësi për gjithë dëshmorët e këtij vendi!
Faleminderit.