Në njëzeteshtatë vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Myrtë Zeneli, Faruk Elezi, Arben Haliti, Arben Krasniqi dhe Xhezair Syla, kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me kryesuesin e kuvendit, Fadil Gashi, deputetin e kuvendit, Lahi Brahimaj, mixhën Halil Krasniqi, bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, te shtatorja e Faruk Elezit, busti i Arben Halitit dhe pllaka përkujtimore e Myrtë Zenelit në Dollovë.
Përmes këtij përkujtimi, u shpreh mirënjohja dhe respekti i thellë për sakrificën e dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryetari Elezaj gjatë ceremonisë theksoi se sakrifica e dëshmorëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës. Ai shtoi se:
“21 majin e vitit 1998 do ta kujtojmë gjithmonë si ditë të lavdishme e heroike. Në këtë ditë u përjetësuan në altarin e lirisë pesë dëshmorë të kombit, Myrtë Zeneli, Faruk Elezi, Arben Haliti, Arben Krasniqi dhe Xhezair Syla, ndërsa një ditë më parë jetën ia fali lirisë së Kosovës edhe Isuf Morina. Ata do të mbesin në mendjen e kujtesën tonë, në historinë tonë heroike, si atdhetarë të mëdhenj e luftëtarë të denjë në rrugën për liri, të cilët bënë luftë të lavdishme deri në momentin e rënies heroike. Ne përkulemi me mirënjohje e nderim para veprave heroike të dëshmorëve dhe të rënëve për liri!
Lavdi e përjetshme!”
Ai gjithashtu falënderoi familjarët e dëshmorëve për forcën dhe dinjitetin me të cilin e mbajnë gjallë kujtimin e të afërmve të tyre, duke e quajtur këtë një shembull të lartë për gjithë shoqërinë.