Në Klinë u mbajtën aktivitete përkujtimore në nderim të tre dëshmorëve të kombit, Ilir Merturi, Vesel Avdyli dhe Naim Gashi, të rënë më 29 janar 1999 në Rugovë të Hasit.
Në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe”, u bënë homazhe për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës. Me këtë rast u theksua se gjaku dhe heroizmi i dëshmorëve janë themeli mbi të cilin është ndërtuar liria jonë.
Po ashtu, në parkun e qytetit që mban emrin e dëshmorit Ilir Merturi, u përkujtua jeta dhe veprimtaria e tij dhe e bashkëluftëtarëve, si dhe u rivendos pllaka përkujtimore me emrin e tij.
Tre dëshmorët u ndanë herët nga jeta, por lanë pas një trashëgimi të përhershme lirie, krenarie dhe përgjegjësie për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.