Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, kanë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i trotuarit me ndriçim Klinë – Jashanicë dhe Krushevë e Vogël – Zllakuqan”.
Ky projekt kap vlerën totale prej 330.000 eurosh, nga të cilat 230.000 euro do të financohen nga buxheti i Komunës së Klinës, ndërsa 100.000 euro do të sigurohen nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Sipas kryetarit Elezaj, procedurat për fillimin e realizimit të projektit do të nisin menjëherë.
“E falënderoj Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për këtë bashkëpunim në një projekt shumë të nevojshëm, të duhur e të rëndësishëm për qytetarët tanë, në veçanti për banorët e këtyre fshatrave, në të cilat do të rritet ndjeshëm siguria,” ka deklaruar kryetari Elezaj.
Ai shtoi se ky projekt është dëshmi e qartë e qeverisjes së mirë në Komunën e Klinës dhe e një menaxhimi të duhur dhe të përgjegjshëm të projekteve zhvillimore, duke përmendur se bashkëpunime të tilla, ku komuna është bashkëfinancuese, janë modele të suksesshme për të ardhmen.