Në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Motrat Qiriazi” në Zajm, është mbajtur dëgjimi i katërt publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028.
Në këtë dëgjim morën pjesë banorë nga fshatrat Zajm, Gremnik, Deiq, Dollc dhe Dresnik, të cilët patën mundësinë të paraqesin nevojat dhe propozimet e tyre për zhvillimin e komunitetit në vitet në vijim.
Takimin e udhëhoqi kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Financave, Enver Berisha, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, dhe kryetari i Këshillit Lokal, Metë Krasniqi.
Pjesëmarrja e konsiderueshme e qytetarëve dëshmoi interesimin dhe angazhimin e tyre për të kontribuar në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në planifikimin afatmesëm të buxhetit komunal.
Ky dëgjim publik paraqet një hap të rëndësishëm drejt një buxhetimi më gjithëpërfshirës, transparent dhe të orientuar drejt prioriteteve të qytetarëve.
Gjatë takimit, projeksionet buxhetore u prezantuan përmes tabelave të mençura vizuale interaktive, të cilat ofruan një paraqitje të qartë dhe të kuptueshme për të gjithë të pranishmit.
Drejtori i Financave, Enver Berisha, theksoi se Korniza Afatmesme Buxhetore paraqet një dokument strategjik shumë të rëndësishëm, i cili orienton planifikimin dhe alokimin e burimeve financiare për tri vitet e ardhshme, duke u bazuar në prioritetet zhvillimore të komunës dhe nevojat reale të qytetarëve.
Takimi përfundoi me kërkesën prioritare të banorëve për ndërtimin e trotuareve dhe rrjetit të ujësjellësit në dy lagje.
Ndërsa nga nesër, më 10 qershor, organizohen dëgjimet sipas agjendës së mëposhtme:
Shtëpia e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, me temë “Prioritetet e grave dhe të rinjve të Komunës së Klinës”, më 11.06.2025, ora 16:00
SHFMU “Atë Shtjefën Gjeçovi”, në fshatin Zllakuqan, me banorët e fshatrave Zllakuqan, Berkovë, Ranoc, Leskoc, Nagllavë, Dranashiq, Stupë, Rudicë, Jagodë, Videjë, Krushevë e Madhe dhe Budisalc, më 11.06.2025, ora 17:00.