Komuna e Klinës ka përfunduar të enjten mbrëma, më datë 5 qershor, dëgjimin e tretë publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028. Takimi u mbajt në hapësirat e shkollës së mesme të ulët “Azem Bejta” në fshatin Grabanicë, me pjesëmarrjen e banorëve nga fshatrat Grabanicë, Dollovë, Bokshiq, Këpuz dhe Qeskovë.
Qëllimi i këtij dëgjimi ishte prezantimi i projeksioneve fillestare buxhetore dhe mbledhja e rekomandimeve e propozimeve nga qytetarët për investimet dhe prioritetet zhvillimore të kësaj zone për trevjeçarin e ardhshëm.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Financave, Enver Berisha, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Enver Berisha, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Driton Bardheci, asambleisti nga kjo zonë, Adnan Beqiri, kryetari i Këshillit Lokal, Sadik Hoti si dhe qytetarë.
Kryetari Elezaj theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor dhe shprehu gatishmërinë e komunës për të reflektuar nevojat reale të banorëve në dokumentet zyrtare të zhvillimit komunal.
Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2026–2028 është një dokument strategjik që përcakton drejtimet kryesore të investimeve publike, me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje.
Gjatë takimit, projeksionet buxhetore u prezantuan përmes tabelave të mençura vizuale interaktive, të cilat ofruan një paraqitje të qartë dhe të kuptueshme për të gjithë të pranishmit.
Dëgjimet e tjera vazhdojnë sot në bashkësitë lokale të Zajmit dhe Shtupelit.
Ndërsa nga nesër, më datë 10 qershor, organizohen dëgjimet sipas agjendës së mëposhtme:
Shtëpia e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, me temë “Prioritetet e grave dhe të rinjve të Komunës së Klinës”, më 11.06.2025, ora 16:00
SHFMU “Atë Shtjefën Gjeçovi”, në fshatin Zllakuqan, me banorët e fshatrave Zllakuqan, Berkovë, Ranoc, Leskoc, Nagllavë, Dranashiq, Stupë, Rudicë, Jagodë, Videjë, Krushevë e Madhe dhe Budisalc, më 11.06.2025, ora 17:00.