Në hapësirat e shkollës fillore “Tre Dëshmorët”, në fshatin Jashanicë, është mbajtur takimi i parë informues me qytetarë për projektin e harmonizimit të gjendjes faktike në terren me të dhënat në Drejtorinë e Kadastrit. Ky projekt menaxhohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Klinës.
I pranishëm ishte drejtori i Kadastrit, z. Nikson Daka, si dhe përfaqësues të Agjencisë, së bashku me operatorin ekonomik të përzgjedhur për realizimin e projektit.
Në këtë takim, të pranishmit u njoftuan me këto pika kryesore:
Zyrtarizimi i të drejtave pronësore jokontestimore mbi pronat e paluajtshme, për rastet e trashëgimive;
Zyrtarizimi i shitblerjeve të kryera përmes marrëveshjeve joformale/gojore;
Realizimi i matjeve gjeodezike dhe përgatitja e dosjeve për procesin e legalizimit;
Plani i rindërtimit, dinamika e realizimit dhe rëndësia e tij;
Obligimet dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Zyrës Kadastrale Komunale dhe Komunës;
Obligimet e operatorit ekonomik në zbatimin e planit të rindërtimit;
Të drejtat dhe obligimet e banorëve të zonës kadastrale në procesin e rindërtimit.
Implementimi i projektit do të fillojë në muajin qershor 2025, ku palët do të ftohen për dorëzimin e dokumentacionit.
Takimet e tjera do të mbahen sipas kësaj agjende:
28 prill 2025, në Sallën e Kuvendit Komunal Klinë, për zonën kadastrale të Dresnikut dhe Klinës, nga ora 16:30 – 17:30, si dhe nga ora 18:15 – 19:15.
Të gjitha punët dhe aktivitetet në kuadër të këtij projekti do të kryhen pa pagesë.