Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar sot promovimin e librit monografik “GJYSMË SHEKULLI I SHTËPISË SË KULTURËS ‘JEHONA E DUKAGJINIT’”, në Klinë, të autorëve Ismet Krasniqi dhe Prend Buzhala.
Promovimi u mbajt në ambientet e vetë Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, duke shënuar një ngjarje të rëndësishme kulturore për komunën dhe gjithë rajonin. Libri sjell një pasqyrë të gjerë historike dhe kulturore për rrugëtimin 50-vjeçar të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor, duke e vlerësuar si një gurthemel të zhvillimit artistik dhe kulturor në komunë.
Ngjarja u përshëndet nga figura të ndryshme të jetës kulturore dhe institucionale, të cilët vlerësuan kontributin e autorëve dhe rëndësinë e këtij botimi.
Me këtë rast edhe kryetari Elezaj shtoi se:
“Ky botim është më shumë se një libër. Është një arkiv i gjallë i kujtesës kolektive, një dëshmi e gjallë e rrugëtimit të përbashkët, një mozaik i përpjekjeve, sukseseve dhe sfidave që kanë ndërtuar identitetin kulturor të komunës sonë.
Autorët, z. Ismet Krasniqi dhe z. Prend Buzhala, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, duke sjellë para nesh një pasqyrë të thelluar dhe gjithëpërfshirëse të 50 viteve të këtij institucioni të dashur për të gjithë ne. Ata kanë dokumentuar me kujdes ngjarjet, figurat, aktivitetet dhe momentet që kanë ndërtuar historinë tonë kulturore.
Shtëpia e Kulturës ‘Jehona e Dukagjinit’ duhet të vazhdojë të jetë burim frymëzimi, hapësirë për të rinjtë tanë dhe një urë lidhëse mes brezave.” – ka thënë Elezaj.
Kryetari Elezaj në fund ndau mirënjohje për autorët Ismet Krasniqi, Prend Buzhala dhe Vesel Zeka.