Komuna e Klinës ka filluar dëgjimet buxhetore për Draft-Buxhetin e vitit 2025 në fshatin Drenoc, me banorët e fshatrave Pjetërq i Epërm, Pjetërq i Poshtëm, Drenoc dhe Dugajevë, i cili është mbajtur në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Isa Boletini”, me fillim nga ora 17:00, ku morën pjesë 22 persona.
Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Enver Berisha, drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, Nikson Daka, këshilltari i kuvendit komunal, Luigj Ademi, anëtarë të grupit punues si dhe banorë të zonave të lartcekura.
Prezantimi i buxhetit është bërë në tabelat e mençura, po ashtu, pjesëmarrësve iu është siguruar materiali edhe në kopje fizike së bashku me agjendën. Gjithashtu, është bërë edhe një përmbledhje për ecurinë e dëgjimeve buxhetore të vitit të kaluar lidhur me projektet e reja dhe ndryshime buxhetore.
Kryetari Elezaj para të pranishmëve foli mbi investimet që po realizohen në këto fshatra si dhe shifrat buxhetore që kërkojnë prioretizim nga vetë banorët pjesëmarrës. Ai theksoi që në Poterç e Dugajevë, infrastruktura veç është kompletuar së fundmi me trotuar dhe ndriçim.
Ndërsa, drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Enver Berisha, ka bërë një prezantim të shkurtër të draft-buxhetit lidhur me përmbajtjen, të hyrat, shpenzimet, projektet kapitale, zhvillimin ekonomik për të gjithë qytetarët.
Banorët si prioritet e rekomanduan ndërtimin e kanalit të ujitjes, kërkesë kjo e cila u përsërit tri herë gjatë takimit.
