Nën interpretimin e jashtëzakonshëm të tingujve të veprave të kompozitorëve vendorë dhe të huaj, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, është mbajtur koncerti “Filharmonia në lëvizje”, i mbështetur nga Komuna e Klinës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky manifestim njëherësh organizohet në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me pjesëmarrje këtë manifestim e nderuan ministri i Kulturës, z.Hajrulla Çeku, nënkryetarja e komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi – Selmanaj, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj, Fatjona Gashi, drejtorë të tjerë të drejtorive, dashamirës të artit e muzikës etj.
Programi i orkestrës frymore të filharmonisë së Kosovës, prezantoi këngë popullore tradicionale shqiptare dhe vepra të kompozitorëve botërorë me orkestrim dhe interpretim të artistëve tanë të njohur.