Me rastin e festave të krishtlindjeve, Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, qytetarëve të besimit katolik iu është drejtuar me këtë mesazh urimi:
Me rastin e ditës së Krishtlindjes, që simbolizon vlerat më të larta të solidaritetit, harmonisë, dashurisë dhe paqes ndërmjet njerëzve, ju shpreh urimet e mia Juve dhe gjithë besimtarëve të besimit katolik. Këtë festë le ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat dhe begatitë që na i ka dhuruar Zoti. Krishtlindjet, këtë kremte tradicionale, sot e gjejnë komunën dhe vendin tonë, me arritje të shumta në të gjitha fushat e jetës; me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë pa dallim etnie e besimi, për zhvillim ekonomik të vendit dhe me synime të qarta për integrime euroatlantike.
Në këtë rrugë kemi plot sfida e vështirësi. T’i kalojmë ato së bashku, me synimin për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë ditë, le të kujtohemi për të gjithë ato vlera të kombit, të cilët për të kremtuar sot në liri dhanë edhe jetën e tyre – dëshmorët dhe martirët e kombit; t’i kujtojmë njerëzit rreth nesh që kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë. Të ndajmë me ta momentet e festës, t’ua bëjmë atyre kremten dhe jetën më të lehtë e më të mirë.
Në ditën e Krishtlindjes, uroj edhe përfaqësuesit të misioneve ndërkombëtare në vendin tonë, KFOR-in etj., të cilët do të festojnë këtë ditë të shënuar në vendin tonë, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj.