DREJTORIA KOMUNALE E ARSIMIT, KLINË
Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë, njofton nxënësit e Komunës së Klinës, të cilët kanë aplikuar për pjesëmarrje në garën Ndërkombëtare KANGAROO, se më datë: 17.03.2018 ( ditën e shtune), në ambientet e Shkollës së Mesme Profesionale “ Fehmi Agani” në Klinë do të mbahet testi në këtë garë.
Orari:
Nga ora 08:45 min – klasat: 3, 4, 11 dhe 12
Nga ora 11:15 min – klasat: 1, 2, 7, 8, 9, 10
Nga ora 13:40 min – klasat: 5, 6 dhe rezervë ( ata që kanë humbur orarin ose nuk e kanë fletë konfirmimin e aplikimit)
GARA NDËRKOMBËTARE E MATEMATIKËS “KANGAROO” NË KOSOVË – 2018
UDHËZIMET DHE RREGULLAT E TESTIMIT
Të gjithë nxënësit duhet të marrin me vete laps grafit HB (jo kimik), meqë përgjigjet do të lexohen në mënyrë automatike nga lexuesi optik (i cili kërkon që formulari i përgjigjeve të plotësohet me laps HB).
Me rastin e hyrjes së nxënësve në sallën e testimit, nxënësit duhet të shkyçin telefonat dhe çdo pajisje tjetër elektronike.
Gjatë testimit nxënësit duhet të mbajnë qetësi maksimale. Nuk lejohen pëshpëritje, të folur me zë, lëvizje që prishin qetësinë në klasë, etj..
Gjatë testimit nxënësit nuk mund të përdorin asnjë mjet ndihme (si telefon, kalkulator, etj.). Gjatë testimit nxënësit mund të kenë mbi bankë vetëm testin, formularin e përgjigjeve, lapsin dhe ujin.
Gjatë testimit nxënësit nuk guxojnë të kthejnë kokën apo të kthehen anash më shumë se 45 gradë.
Gjatë testimit nxënësit nuk guxojnë të provojnë të flasin me njëri-tjetrin, të kopjojnë nga njëri-tjetri apo të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Për çfarëdo nevoje të nxënësit që i duhet udhëzimi, ndihma apo miratimi i administratorit gjatë testimit, nxënësi vetëm e ngre dorën lart (nuk flet me zë) dhe administratori ofrohet për të dhënë ndihmën e nevojshme.
Mosrespektimi i cilësdo nga rregullat e sipër-përmendura nga nxënësi rezulton me përjashtim të nxënësit nga testimi dhe anulim të tërësishëm të rezultatit të tij.
Udhëzime dhe informata rreth testit
Nxënësit kanë kohë 90 minuta për plotësimin e testit (llogaritja e kohës fillon pas dhënies së udhëzimeve nga administratorët). Për të mos u shpërqendruar nxënësit, administratorët do t’i informojnë nxënësit gjatë testimit për kohën e mbetur kur i kanë edhe 60 minuta, edhe 30 minuta, edhe 10 minuta.
Nxënësit inkurajohen që ta shfrytëzojnë gjithë kohën në dispozicion, meqë nuk ka pikë bonus nëse e përfundojnë më herët. Megjithatë ata që e përfundojnë testin para kohe, mund të dalin nga klasa kurdo që e përfundojnë testin.
Për nevoja të kalkulimit të nxënësve gjatë zgjidhjes së detyrave, pas secilës detyrë në test ka hapësirë të zbrazët për kalkulime dhe gjithashtu një fletë e zbrazët është e bashkëngjitur në fund të testit për nxënësit që kanë nevojë për më shumë hapësirë.
Formulari i përgjigjeve ku shënohen përgjigjet përfundimtare të nxënësit është i ndarë nga testi. Vetëm përgjigjet e evidencuara në formularin e përgjigjeve merren parasysh, ndërsa në test nxënësit mund të shënojnë çfarë të duan.
Nuk lejohet korrigjim i përgjigjeve pasi të evidencohen në formularin e përgjigjeve, prandaj ju rekomandohet nxënësve që fillimisht përgjigjet e tyre t’i evidencojnë në test dhe pastaj, pasi të jenë të sigurte, t’i përshkruajnë përgjigjet në formularin e përgjigjeve me kujdes dhe pa gabime.
Testi përmban tre grupe detyrash/pyetjesh me nga 8 ose 10 detyra/pyetje që vlerësohen me 3 pikë, 4 pikë, 5 pikë.
Për çdo detyrë/pyetje ofrohen 5 mundësi të përgjigjeve, prej të cilave vetëm njëra është e saktë.
Nuk ka minus pikë për përgjigje të gabuar. Në rast se nxënësi nuk përgjigjet fare në ndonjë detyrë/pyetje, as nuk merr e as nuk humbë pikë.
Detyrat/pyetjet në fillim janë më të lehta dhe gjithmonë vijnë duke u vështirësuar gradualisht.
Nxënësit mund ta plotësojnë testin sipas dëshirës, nuk është e domosdoshme përgjigjja me rend në detyra.
Megjithatë sugjerohet që detyrat/pyetjet të zgjidhen sipas rendit, meqë mund të jetë më e lehtë për nxënësit dhe e zvogëlon mundësinë e gabimit të nxënësve me rastin e shënimit të përgjigjeve në formularin e përgjigjeve.
Në momentin që administratori tregon se ka përfunduar koha e testimit, të gjithë nxënësit duhet t’i lëshojnë lapsat në bankë dhe t’i mbyllin testet. Nuk lejohet asnjë shënim a përgjigje pas përfundimit të kohës së testimit. Nxënësit presin ulur derisa administratori t’i mbledhë të gjitha testet dhe formularët e përgjigjeve.
Mosrespektimi i kohës nga nxënësi mund të rezultojë me anulim të testit.
Testi nuk lejohet të merret me vete, të fotografohet apo të kopjohet në çfarëdo forme nga nxënësit. Pas përfundimit të testimit (pas 30 ditëve), testi do të publikohet në ueb faqen tonë (me përgjigjet e sakta).
Udhëzime për plotësimin e fletës kompjuterike
Udhëzimet për plotësim të formularit të përgjigjeve do të jepen në detaje nga administratorët me rastin e testimit dhe nxënësit do të ndihmohen nga administratorët në përputhje me moshën dhe nevojën e nxënësve që testohen.
Në vazhdim është modeli i formularit të përgjigjeve.