Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Enver Berisha, dhe drejtorë të drejtorive komunale, me ftesë zyrtare, zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Selenicës në Shqipëri.
Delegacioni i Komunës së Klinës u prit nga kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, deputeti i zonës, Vullnet Sinaj, dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit reciprok ndërmjet Komunës së Klinës dhe Bashkisë së Selenicës, me fokus në shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe realizimin e nismave të përbashkëta në interes të qytetarëve.
Delegacioni i Komunës së Klinës mori pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Selenicës, ku u zhvillua një ceremoni e veçantë e nderimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me titullin “Qytetar Nderi”.
Vizita shërbeu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave dhe mundësive me të cilat përballen pushtetet lokale, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përtej bashkëpunimit institucional, përfaqësojnë lidhje të natyrshme vëllazërore, të cilat vazhdimisht duhet të forcohen edhe përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet komunave dhe bashkive.
Komuna e Klinës shpreh mirënjohjen për kryetarin e Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, deputetin Vullnet Sinaj dhe Këshillin Bashkiak të Selenicës për mikpritjen dhe gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
